Ballina Poezi Letër nënës Sergej Aleksandrovic Esenin

Letër nënës Sergej Aleksandrovic Esenin

166

Letër nënës ; Sergej Aleksandrovic Esenin 

Gjallë je, nënoke? Edhe unë 

Gjallë jam. Shëndet më paç, shëndet!

Dritë e bëftë krejt kjo mbrëmje e lume

Izbën tënde, që me mall më pret.

 

Thonë se je ligur e je tretur

Nga meraku im, po nuk ankon,

Se, pështjellë me një shall të vjetër,

Fillikate rrugës shpesh kalon.

 

Dhe kur mugëtirë e kaltër bie,

Një vegim i zi të kall ty frikë,

sikur në një sherr diku në pije,

Vjen dikush e ma këput me thikë.

 

Kot, e dashur, vuan kaq, besomë,

Brenga t’i fanit këto ndër sy.

S’jam aq pijanec i lig sa ç’thonë,

Si do vdes pa të të parë ty?

 

Unë jam po foshnje, si një herë,

Dhe një shpresë veç ushqej në gji:

T’iki nga ky tym e kjo poterë,

Te shtëpiza jonë aty të vij.

 

Dhe do vij, kur kopshti ynë i bardhë

Anekënd të vishet me blerim.

Vetëm ti, si tetë vjet më parë,

Mos më zgjo aq herët në agim.

 

Mos e zgjo atë që shkrumb iu bënë

Endërrat e moshës plot hare.

Më ka vrarë jeta mjaft, o nënë,

Dua veç të shlodhem e të fle.

 

As t’i lutem Zotit mos më thuaj,

Si dikur në t’artën mituri,

Ti ke mbetur ngushëllim për mua,

Dritë e parrëfyer, vetëm ti.

 

Ndaj merak ti mos m’u bëj aq tepër,

Tek e liga mendjen mos e ço,

Dhe aq shpesh, me shallin tënd të vjetër,

Fillikate rrugën mos kalo.

Sergej Aleksandrovic Esenin 

Jeto I Lumtur.al

Artikulli paraprakGënjeshtrat Dritero Agolli
Artikulli tjetërGjeniu i Turmave Charles Bukowski