Deti… Poezi Nga Fatos Arapi…

182

I vogël, me pantallona të shkurtra,
Me këmbë të zbathura e një këmishë humaie,
që e qepte vetë gjyshja…
Ashtu darkë për darkë dilja në breg.
Ndër gishtërinj të këmbës së ftohtë me rridhte rëra,
Unë prisja me orë të tëra,
Gjersa përnjëherësh, tutje nëpër fushat e gjëra të natës,
Ngriheshin kope të çuditshme, të panumërta kuajsh të bardhë.
Nëpër hapësirat e pafundme suleshin aradhë – aradhë.
Turfullonin.
Binin me këmbë të thyera,
Rrokulliseshin duke gulçuar nëpër të zezat humnera.
Mbi ta fluturonin të tjerë.
Jelet e hakërruara dallgë-dallgë fushën e qiellit fshihnin.
Hingëllimat e frikshme para tyre bridhnin.
Ata vinin afroheshin drejt meje.
Gjokset e mëdha e të bardha
Lëshonin përpjetë; këmbët e para rrihnin në erë…
Sytë u flakëronin.
Një çast, dhe nën thundrat e tyre do të më coptonin.
Kur ja, me poterë,
si një gjëmim i madhërishëm përplaseshin
te këmbët e mia. Nga flegrat gjigante
miliarda grimcëza të kristalta shfrynin
për të fundit herë.
Të tjerë
hingëllinin nëpër fushën e gjërë të natës.
Me gëzim e frikë, orë të tëra
unë shihja kuajt e bardhë
të suleshin nëpër furtunë.
Thyenin këmbët, rrokulliseshin,
që të vinin sa më parë tek unë
shkelnin
fluturonin njeri mbi tjetrin.

Dhe tani, kudo që jam,
Ashtu fantastik e i madhërishëm,
më ndjek pas deti…

Jeto I Lumtur

Artikulli paraprakFshati Im… Poezi Nga Andon Zako Çajupi
Artikulli tjetërLypsi plak (Gjyshi plak).. Poezi Nga Sefulla Maleshova