Fragment Nga Romani… Dëmi E Kobi.. “Nga Granit Zela”…

46
Pas një muaji të ditënatshëm studimor të akademikëve, u arrit në përfundim shkencor se nuk ishte dashuria për të mos braktisur trojet e motshme ose të kaluarën e tyre, (e cila, tekefundit, është e pakuptimtë, komentuan ata nën zë) por një dëshirë e përbashkët për të vdekur që i mbante të mbërthyer aty ato shpirtra. Duke gjetur më në fund shkakun, ata u kthyen të lumtururar në kryeqendër me qëllimin për t’i gjetur ilaçin edhe kësaj “sëmundje të re”, siç e cilësuan. Me zbulimin e këtij motivi të fshehtë, sikur u prish magjia që i mbante ata njerëz të lidhur me luginën, prandaj në fillim tek-tuk në të rrallë, e mandej gjithnjë e më shumë, shumë prej tyre nisën të shpërnguleshin në shpatnajë.

Pas hapjes së themeleve të reja për ndërtimin e shtëpive, njerëzit nisën të shpërngulnin edhe varret e të afërmve. Menduan se do të qe krejt jonjerëzore që ata t’i braktisnin ato varre në fund të luginës. Filluan atëherë zhvarrimet, rivarrimet, zhvendosja e gurëvarreve në shpatnajë, aq sa kur më në fund përfundoi shpërngulja e tyre, të gjithë vunë re me habi se numri i të vdekurve ishte shumëfish më i madh se numri i shtëpive! Duke soditur zhvillimet e reja nga kryeqendra, për të shpërblyer qytetarët u dërgua një Shpirtmarrës, që do të vinte në jetë dëshirën e tyre të kahershme për të vdekur, duke ua marrë shpirtin sipas planeve të hartuara nga studimet voluminoze të Ekipit Akademik, i cili kishte hartuar dhjetëra skedarë për secilin qytetar.

Me “Institucionalizimin e vdekjes” në periferi, qeveritarët e kryeqendrës krenoheshin para kolegëve të tyre nëpër botë, ashtu siç krenoheshin edhe për departamentet e shpirtmarrjes që ngritën pranë çdo ministrie e bashkie. Natyrisht, Presidenti i Republikës kishte departamentin më të madh ngase ai dhe vetëm ai në pozitën e Babait të Kombit duhet t’ua merrte shpirtin të gjithë qytetarëve të Republikës pa dallim feje, krahine, ideje, etj. Megjithatë, kjo nuk do të ishte shumë rezultative ngase, siç u pa më vonë, shpirti merrej shumë më kollaj në terren. Shpirtmarrësi, një çunak i hequr në fytyrë, që ishte diplomuar jashtë shtetit dhe dinte të gjitha metodat e vdekjes, ç’prej atyre të qytetërimeve Sumero-Babilonase e gjer te ato më pas-moderne, thonë se erdhi disa ditë më përpara se t’i jepej leja e ushtrimit të profesionit. Madje, po të mos kishte ardhur ai para kohe as Diellza nuk do të ringjallej më vonë. Ai u bë shkak që ajo do të varrosej në luginë e jo në shpatnajë. Rastësisht, ditën që ai erdhi në qytet, Diellza, më e bukura vajzë e qytetit qe në grahmat e fundit, e nuk u mor vesh se si ra në shtrat e u mpak për pak ditë, por meqenëse qe me një këmbë këndej e një varrit, Shpirtmarrësi, pa menduar se kjo do t’i kushtonte shumë në karrierën e tij jetëshkurtër, hyri në dhomën e saj e ia mori shpirtin.

Pasi kishte dalë prej dhome, thonë se kishte qenë shumë i tronditur, si ata doktorët e rinj në zanat kur shohin një kufomë për herë të parë. Mandej u more vesh se nuk kishte qenë dobësi gjatë ushtrimit të profesionit, por thjesht kishte qenë i trullosur prej bukurisë së saj. Meqë qysh në fillim i mori shpirtin një vajze me bukuri të pashoqe, me të tjerët ai nisi të punojë pa pikën e dëshirës. Ishte velur, siç thuhet në këso rastesh, e puna iu bë monotone.

Kur u shfaqën rrënojat e qytetit të përmbytur, të gjithë nisën t’i ndërmendnin këto ngjarje. U kujtuan edhe për hakmarrjen e shpirtmarrësit i cili u shkarkua nga detyra për shkak të disa ankesave se nuk po ua merrte shpirtin me përkushtimin e duhur. Ai u bë tym e mjegull prej tërbimit e tha se me atë punë kishte nxjerrë dikur bukën e bojës e pastaj, pas një takimi të fshehtë me Mallkimtarin i cili i nxitur prej tij i kishte mallkuar që të mos vdisnin kurrë, por të kalbeshin të gjallë mbi dhé, kishte ikur duke sharë e bërtitur si i çmendur.

Kallzojnë se e gjitha kjo kishte gjasa të mos kishte ndodhur për faj të Shpirtmarrësit. Ai, ndofta kishte qenë pre e një intrige të shestuar në kryeqendër por, përkundrazi ishte Mallkimtari ai që kishte shkruar me dorën e vet ankesa si dhe kishte mallkuar Shpirtmarrësin i cili po i merrte nga kjo botë njerëzit që ai dikur mallkonte, por që tash i jepeshin vetë vdekjes dhe nuk kishin frikë nga ajo, e rrjedhimisht edhe nga mallkimet e tij. Në një farë mënyre Shpirtmarrësi ishte kthyer në një të papunë, ndaj edhe ai ishte hakmarrë. I thoshnin këto banorët dhe gjithmonë shmangnin, bënin sikur harronin apo shtireshin sikur nuk kishte ndodhur që në shtator të atij viti, pikërisht kur kishte rënë një borë e cila kishte shkrirë pas dy ditësh, Diellza ishte ringjallur duke kumtuar vetë edhe arsyen e ringjalljes së saj.

Kur ishin shfaqur disa persona të panjohur në qytet dhe me gjetjen e disa varreve të hapura, të gjithë menduan se Shpirtmarrësi kishte nisur një operacion ndëshkimor duke dërguar atje hajdutë varresh, por pak kohë u desh të merrnin vesh gjëmën që kishte ndodhur. U tha se në qytet kishte zbarkuar një bandë nekrofilësh, që hapte varret natën për të bërë seks me të vdekurit. Këtë herë banorët u tronditën si kurrënjëherë. Të zënë në kurth, pa asnjë rrugëdalje, ata e kuptuan se tani ishte më tmerr të jetoje se sa të vdisje. Bash në këtë ndërkohë u vra Mallkimtari, dhe qielli u mbush me re krejt të zeza si të qe terr nëntoke. Në mes të ditës u bë sikur të ishte mesi i natës, dhe lajmi u përhap gjithkah ndërkohë që kufoma e tij u end herë nën tokë e herë mbi tokë duke u varrosur e zhvarrosur nga fisi i të Përhënurve dhe ai i Valëlumëve të cilat ishin në hasmëri me njëri tjetrin pasi mëtonin se kundërshtari I tyre u kishte përdhosur natën varret e të vdekurve.

U tha se pikërisht një nga ata njerëzit e natës, kur kishte hapur nëpër terr varrin e Diellzës e ishte lëshuar kinse sipër kufomës së saj kishte ikur duke lëshuar britma ngase nuk kishte gjetur një të vdekur në varr por kurmin e nurshëm të saj. Prandaj, paskëtaj, nisën t’i thërrisnin Diellza e Ringjallur. Ajo, kallëzojnë, se i kishte hapur sytë, ishte çuar në këmbë, ishte strukur mandej prapa varrit të saj. Më vonë nisi të kallëzohej se, përkundrazi, ishte Shpirtmarrësi ai i cili edhe pse vetë kishte dërguar atje nekrofilët, kishte vajtur e kishte ndenjur gjithë natën te varri i Diellzës, duke ruajtur varrin e saj të mos dhunohej.

Kallëzojnë se aty kishte gjetur një shishe me verë që kushedi kush e kishte lënë apo harruar, që e kishte zbrazur me një frymë për t’u ngrohur dhe ia kishte marrë një këngë të përzishme rënkimtare. Diellza atëherë thonë se kishte lëvizur kapakët e arkivolit, ishte çuar në këmbë, ishte strukur pas varrit të vet. Shpirtmarrësi kishte dashur të qante me të, por nuk mundi se nuk i kishin dalë lot.

“Dikur”,- kishte thënë ajo-“njerëzit rënkonin e bërtisnin me zë të lartë për gjëmat që u ndodhnin. I binin vetes me grushte, duke rrahur gjoksin prej hidhërimit të thellë. Kishte edhe vajtojca për rastet e mortit, kurse ju..ju nuk e keni vënë re se me gjithë këto gjëma që po ndodhin, asnjëri prej jush çuditërisht nuk derdhi asnjë pikë loti’. “Ju jeni të mallkuar për të harruar lotin” kishte thënë ajo, “ndërkohë që ai është kaq njerëzor…”.

Të tjerë thonë se Diellza, nuk kishte qenë një vashë e zakonshme e Qytetit të Vjetër por bash Hyjensha e tij Mbrojtëse si dhe nuk kishte qenë Shpirtmarrësi njeriu që e kishte parë duke qarë por Mallkimtari, të cilin ajo pasi e kishte parë në sy, dhe trishtueshëm i kishte thënë se kobet që kishte shkaktuar gjer më atë natë ishin të padurueshme për jetën andaj edhe shumë shpejt do të jepte shipirt në një nga rrugët e qytetit, dhe fytyra do t’i humbte në ujët e një pellgu të mbushur nga shirat e asaj stine.

Orakulli kishte parathënë mbytjen e qytetit të vjetër, mënyrat e mundshme të mbytjes, ardhjen e shpirtmarrësit, vrasjen e Mallkimtarit, ringjalljen e Diellzës, bujtjen e Arkeologut në viset e Qytetit të Vjetër qindra vite më pas dhe përpjekjen e tij për të ringjallur qytetin. Përgjersa banorët e tij kishin aftësin të ringjalleshin, ndofta edhe Qyteti i Vjetër mund të ringjallet, kishte menduar Arkeologu. Ai kishte parashikuar se sa ditë do të zgjaste mbytja dhe për më tepër përcaktoi saktësisht vitin e shfaqjes së Arkeologut, vitin një mijë e tetëqind e shtatëdhjetë.

Banorët, pasi ndërmendën arsyet e ringjalljes së Diellzës, panë se si kujtesa e tyre po përmbytej nga kujtimet që kishin të bënin me arsyen e vdekjes së saj, e cila sikurse edhe e dinin, ndryshe nga fjala e përhapur se atë e kishte mbytur Shpirtmarrësi, ishte krejtësisht tjetër, kjo ngase Shpirtmarrësi kishte qenë një mortar i zakonshëm ndërsa atë nuk e lidhte kurgjë me vdektarët. Kallëzohet se Diellza kishte qenë hyjni. Pamja e saj madhështore por sidomos dashuria e saj e madhe për Qytetin e Vjetër kishte frymëzuar një nga artistët e tij të lashtë për të gdhendur një statujë të mahnitshme e cila më pas do të vendosej afër Orakullit ku e ardhmja deshifrohej nga fëshfërima e gjetheve të lisit dhe gurgullima e ujërave, vend i cili do të shndërrohej në faltoren kryesore të saj.

Diellza kishte lindur nga bora e majëmaleve dhe më pas ishte bërë hyjnia mbrojtëse e Qytetit të Vjetër. Ajo prej tyre thirrej si Diellza flokpraruara, Diellza syvezulluesja, Diellza faqedritura, Diellza sykaltra dhe shumë epitete të tjera të cilat do të shkruheshin në disa pergamena që do të ruheshin në Bibliotekë. Çdo stinë Diellzës i baltoheshin dhurata dhe flijime, organizoheshin festa popullore me verë të bërë nga rrushi i arave përkundruall, si dhe organizoheshin gara gjimnastikore, gara me kuaj, gara muzikore dhe konkurse letrare me drama që luheshin në amfitetaër.

Thuhej se një nga këto drama, pikërisht atë që quhej “Qyteti i Mbytur” e kishte shkruar shenjti Atjon pas një frymëzimi mistik që kishte patur kur po lutej në faltoren e saj, dhe kësodore, të gjithë banorët e Qytetit të Vjetër kishin parë të vënë në skenën e amfitetarit dramën pjesë e së cilës do të ishin ata vetë.Kur ata kishin para në skenë se si do të shembej qyteti i tyre, si do të digjej biblioteka, muzeu, amfiteatri, shpërnguljen e varrezave në shpatmal, shfaqjen e një shenjti me emrin Atjon dhe më në fund vërshimim e ujërave që kishim mbytur Qytetin e Vjetër, banorët ishin shtangur nga vikama që Qyteti i Vjetër kishte nxjerrë që nga thellësia e tokës duke i trandur themelet e veta.

Kishte ndodhur e hatashmja. Ishte vetë Qyteti i Vjetër që kishte parë në skenë të ardhmen e tij, dhe ai, ashtu sikurse banorët në fillim kishte lëshuar një vikamë rrënqethëse ndërsa pastaj kishte qarë mbyturazi. E fundit që kishte dhënë shpirt kishte qenë hyjnia e tij mbrojtëse Diellza fjalëëmbëla e cila, ndryshe nga sa ishte thënë se ishte mbytur nga Shpirtmarrësi, në të vërtetë kishte ndenjur në qytet dhe kishte pranuar të mbytej nga ujërat e të varrosej për së gjalli bashkë me të.

Përse banorët kishin pranuar të shpërnguleshin? Përse të gjithë ata nuk kishin ndenjur atje bashkë me Qytetin e Vjetër, hyjninë e tij mbrojtëse, faltoren e saj, muzeun, bibliotekën ku kishin historinë e tyre të kaluar, shpirtrat e gjyshërve dhe të stërgjyshërve që ishin flijuar në muret e tij, kishin derdhur gjakun e tyre për ta shenjtëruar jetën e tij? Përse një pjesë e tyre kishte pranuar që ta braktiste atë ditën për diell (Mos o Zot perëndia e tyre quhej Diellzë, bijë e Diellit) dhe kishin ikur, kokëulur të mashtruar apo të nënshtruar?.

Kur shenjti Atjon i kishte predikuar banorëve për mbytjen e Qytetit të Vjetër kundërshtarët e tij përhapën fjalën se ajo që ai kishte parë ishte “Ëndërr mashtruese” pasi ikja nga Qyteti i Vjetër në Qytetin e Ri ishte fati i paracaktuar i tyre, dhe një mrekulli që ata duhej ta pranonin pa asnjë lloj ndërdyshjeje. Mirëpo ai kishte punuar që ta vinte në skenën e amfiteatrit dramën që ata i priste dhe pas kësaj, kallëzohet se në qytet plasi një terror i pashembullt nga ana e autoriteteve shtetërore të cilat kishte kohë që kishin përgatitur një plan të hollësishëm për dëbimin e tyre në shpatmal nëpërmjet trysnisë psikologjike, shtrëngesave ekonomike, burgosjeve, pushkatimeve, varjeve, denigrimit publik në Sheshin e Qytetit me akuzën e armikut të qytetit dhe tradhëtar i interesave të tij.

Kallëzohet se në fillim banorët u lanë të papunë dhe, mandej një pjesë e atyre që ishin burgosur u detyruan që të punonin për ndërtimin e një kështjelle gjigande në shpatmal e cila mendohej se do të ishte vendi ku do të rrinin banorët ndërsa do të punonin për ndërtimin e Qytetit të Ri. Ndërkohë, ata do të mësoheshin që të jetonin në një vend tjetër nga Qyteti i Vjetër, dhe në një farë mënyre shpresohej të nisnin ta harronin atë.

Në kështjellë, autoritetet sunduese do t’u lexonin përditë historinë e lavdishme që do të shkruanin në Qytetin e Ri. Do t’u rrëfenin të vërtetën që kishin shpikur në lidhje me Qytetin e Vjetër. Kësisoj do të ndryshohej kryekreje historia e tij; do të shkruhej se Bilioteka e tij nuk kishte ekzistuar ndonjëherë. Sipas saj Muzeu ishte ndërtesë shumë e vjetër që kishte shumë gjasa të shembej dhe të varroste përsërgjalli banorët ndaj edhe ata do të ndërtonin një muze tjetër në qytetin që po lindte, muze i cili do të pasqyornte luftën e lavdishme të popullsisë së Qytetit të Ri kundër armiqve nën udhëheqjen e sunduesve të tyre. Do të shkruhej se shenjti Atjon nuk kishte qenë shenjt por një i arratisur nga Spitali i Qytetit ndërsa Diellza kishte qenë një e përdalë e cila binte në shtrat me banorët e tij por sidomos më një djalosh të bukur të cilin ata thonë se kishte qenë Shpirtmarrësi por që në të vërtetë kishte qenë dashnori i saj i fshehtë.

Puna për ndërtimin e kështjellës kishte qenë e rëndë. Çdo i burgosur bënte dy kilometër rrugë duke shtyra vagonat dy tonësh mbushur me gurë nëpër shpat mal ndërkohë që asnjëri prej tyre nuk lejohej që të binte të flinte para orës dy të natës. Punonin rreth katërmbëdhjetë orë në ditë. E gjithë puna e tyre shoqërohej nga vështrimi i atyre që nuk ishin burgosur ende, në mënyrë që ata të shihnin se si dënoheshin kundërshtarët e braktisjes së Qytetit të Vjetër, por, dihej se kjo ishte një mënyrë për t’u kallur atyre tmerrin dhe për t’i nënshtruar.

Uji që pinin ishte i racionuar, një gavetë në ditë për çdo të dënuar. Kjo gjendje ishte e padurueshme edhe për ata që sfiliteshin në të nxehtë dhe në të ftohtë por edhe për ata që i shihnin pasi duke i parë se si rropateshin, torturoheshin edhe ata pasi nuk donin të këqyrnin se si të tjerët jenin shpirt nën ata gurë. Pati shumë përpjekje për t’u arratisur por kallëzohet se të dy qytetet, si i vjetri edhe i riu ishin rrethuar me një tel të gjatë me gjemba për blerjen e të cilit ishte boshatisur më shumë se gjysma e thesarit të Qytetit të Vjetër dhe të gjitë ata u ekzkutuan në qendër të Qytetit të Ri pasi iu bë gjyqi popullor. Pas ekzekutimeve mbaheshin fjalime kundër Qytetit të Vjetër i cili sipas tyre ishte burimi i të gjitha fatkeqësive, varfërisë, kobeve, padijes, të këqijave që mundonin jetët e tyre. Ata nisën që me çdo kusht të ngjallnin urrejtjen për Qytetin e Vjetër dhe dashurinë për Qytetin e Ri, i cili ishte qytet i së ardhmes, ndërkohë që i vjetri duhej të harrohej përgjithmonë….

Jeto I Lumtur
Artikulli paraprakI përndjekuri i dashurisë
Artikulli tjetërFragment Nga Romani ” Loja E Syve” Nga Elias Canetti”..