Ballina Poezi Ujqërit e mi…

Ujqërit e mi…

59

Tufën e ujqërve të mi e ruaj vetë!
Asnjë dele nuk mund t’u hyjë atyre pafajshëm
mes dhëmbëve,
asnjë kësulëkuqe
mes këmbëve.

S’do të mbajnë kurrë mbi kurriz,
turpin e krimit mbi qenie të prajta.
Ata do sulmojnë bariun e deleve
e burrat koqevegjël të kësulëkuqeve.
Ujqërit e mi,
vdesin urie e s’pranojnë t’i hanë,
as të lënë shtatzënë me dhunë
kësulëkuqe me shporta,
mbushur me fruta,
të buta,
për gjyshet.

Ujqërit e mi të egër,
të bukur,
sy jeshilë,
i ulërijnë hënës,
lëpijnë gjakun e plagës së vet
e ecin me mijëra kilometra
në këmbë,
pa pikë uji në gojë,
për të ushqyer fëmijët e vet!
Delet i therim ne,
për qejf
e kësulëkuqet i përdhunojmë,
në rresht, me listë!
Ujqërit e mi ndryshojnë,
ata janë të egër;
ne jemi thjesht të pistë!

Arbër Ahmetaj

 

Arbër Ahmetaj: Cikël poetik ⋆ Revista letrare

 

Jeto I Lumtur

Artikulli paraprakKjo koha jonë..
Artikulli tjetërFragment nga romani ‘Gjarpri i shtëpisë’… Nga Arif Demolli